Historia nuk ka parë kurrë grua më të duruar dhe më të vuajtur se sa hazreti Zejnebi.
Hazreti Zejneb Kubra (Paqja qoftë mbi të!) lindi më 5 Xhemadi Ula të vitit 5 ose 6 Hixhri Kameri, në qytetin e Medines. Babai i saj i nderuar është Imam Aliu dhe nëna e saj e nderuar është Hazreti Fatimeja (Paqja qoftë mbi ta!).
Bashkëshorti i saj i nderuar është Abdulla, i biri i Xhafer Bin Mutalibit.
Ajo qe nënë e tre djemve dhe e një vajze: Aliu, Auni, Xhaferi, Umi Kulthum. Çdokund që përmendet emri i Zejnebit, së bashku me të, vjen edhe fjala durim. Ajo është mëshirimi i durimit hyjnor. Durimi dhe qëndresa e saj përballë të gjitha vuajtjeve të jetës që hoqi në Medine dhe Qerbela, e më pas, nga Qerbelaja në Kufe e nga Kufja në Sham (Siri). Nuk është i fshehur durimi i saj për asnjë njeri. Ai durim buron nga meditimi dhe qëndrimi i saj i bukur kur thotë: “Nuk pashë gjë tjetër veç bukurisë”. Durimi dhe qëndrimi i Zejnebit (Paqja qoftë mbi të!) rrjedh nga durimi dhe qëndrimi kur’anor. Kështu, vendosëm që të paraqesim modelin dhe qëndresën e kësaj zonje të nderuar, në një diagram në formë dhe mënyrë shkencore, në mënyrë që të shqyrtojmë rezultatin e durimit. Ky model mund të përdoret si një zgjidhje për të trajtuar problemet dhe çrregullimet mendore të individit dhe të shoqërisë sot. Allahu i Madhëruar, në ajetin 24 të sures “Ra’d” thotë: “(…e do t’u thonë): “Paqja qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”. Ky ajet kur’anor jep lajmin e mirë për shëndetin dhe paqen që vjen nga durimi, domethënë, durimi garanton shëndetin fizik dhe mendor të njerëzve.
Durimi ndahet në tre lloje: durimi ndaj fatkeqësive, durimi për t’u bindur dhe durimi ndaj gjynahut. I duruar është ai njeri që nuk pikëllohet përballë vuajtjeve dhe nuk e kundërshton Allahun. Durimi i Zejnebit (Paqja qoftë mbi të!), kësaj zonje të nderuar është i mahnitshëm. Ajo e shikon problemin të bukur, për shkak se ajo nuk e shikon si problem, por si dhuratë nga një mik. Për këtë arsye, ajo është e kënaqur me kënaqësinë e Allahut. Ajo e ka kuptuar madhështinë e Allahut, dhe për këtë arsye fatkeqësitë duken të vogla në sy të saj.
“Njëri preferon dhimbjen dhe tjetri shërimin.”
“Njëri preferon bashkimin dhe tjetri ndarjen.”
“Unë nga shërimi, dhimbja, bashkimi dhe ndarja, do të preferoja atë çka i Madhëruari të preferojë.”
Durimi bëhet shkak i rrallimit të përqindjes së shkallës së fatkeqësisë dhe e forcon zemrën dhe vullnetin e njeriut, për shkak se, durimi është thelbi dhe fryti i misticizmit dhe i soditjes, besimit të saktë dhe qëndrimit ndaj madhështisë së Krijuesit.
Rëndësia dhe domosdoshmëria e durimit dhe e qëndresës, bëhet e qartë nga fakti se Kur’ani i shenjtë i kushton 93 ajete kësaj fjale. Durimi i bukur na thotë ne që në realitet, mbështetësi dhe programatori i çdo problemi qoftë personal apo shoqëror është durueshmëria dhe qëndresa. Nëse nuk do ishte asnjëri nga këto të dy, nuk do të mund të arrihej zgjidhja e problemit, për shkak se përgjatë një pune ka probleme dhe faktorë që nuk mund të zgjidhen përveç se me durim.
Qëllimi i shqyrtimit të çështjes së durimit dhe i qëndresës së hazreti Zejnebit (Paqja qoftë mbi të!), është për shkak të marrjes shembull dhe model mënyrës se si duhet të përballemi dhe se si të zgjidhim shumë probleme dhe çrregullime mendore të shoqërisë së sotme. Ndodh shpesh që në një shoqëri të kemi probleme, por këtyre problemeve nëse i shtojmë edhe të tjera shqetësime, atëherë, kjo tregon se nuk kemi një pikëpamje të drejtë. Pra, në vend që ta luftojnë problemin ata dorëzohen duke e mbajtur mbi supe.
Vuajtjet dhe problemet kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me njeriun që pas krijimit të tij, sikurse thuhet në ajetin 4 të sures “Beled”: “Se, në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi!”[1]
Më pas, në ajetin 17, po të sures “Beled” thuhet: “Veç kësaj, (njeriu duhet) të jetë nga ata që besojnë, që e këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe e këshillojnë për mëshirë.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), flet për llojet e durimit, si: durimi në vështirësi, durimi në bindje dhe durimi ndaj gjynahut, ku thekson faktin se grada më e lartë e durimit është durimi në gjynah.
Durimi në fatkeqësi është burim i kënaqësisë së përcaktimit hyjnor, si dhe fitimi i pozitës së kënaqësisë.
Durimi në bindje është burim i lidhjes me “Hakun” Krijuesin, të Vërtetin, si dhe arritja e pozitës së dashurisë së Allahut.
Durimi në gjynah (të mosbërit gjynahe) është burim i devotshmërisë dhe i arritjes së pozitës së devotshmërisë.
Tani që e saqruam pak a shumë rëndësinë e durimit nga fjalët e Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), le t’i kthehemi edhe një herë durimit dhe qëndresës së Hazreti Zejnebit (Paqja qoftë mbi të!). Në të vërtetë, kush është ai, i cili, që në vogëli e deri në fund të jetës së tij, të ketë jetuar në prehërin e fatkeqësive? Ajo pati fatkeqësi njëra pas tjetrës – që nga largimi i Profetit (gjyshit të saj të shtrenjtë) (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!) kur ajo ishte pesë vjeç; më pas, largimi i nënës së saj nga kjo botë, Hazreti Fatimes (Paqja qoftë mbi të!), në një moshë fare të vogël. Kur ajo arriti moshën 35 vjeç, i erdhi radha babait të saj të shtrenjtë, hazreti Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i cili u godit në xhami duke falur namazin, nga duart e të paditurve. Kur e sollën babain në shtëpi, Zejnebi ia lau plagën që kishte në kokë me lot. Pas martirizimit të babait, i erdhi radha vëllait, Imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!). Ajo ishte një zonjë 45 vjeçe, kur pa se si në mënyrën më të padrejtë dhe jo burrërore u tradhëtua, dhe më pas, duke çelur iftar, u helmua dhe ra dëshmor. Po ky nuk qe fundi i fatkeqësive të kësaj zonje. Ajo u bë dëshmitare e asaj që ndodhi në Qerbela në vitin 50 hixhri. Ajo u bë dëshmitare dhe pa me sytë e saj fëmijët e vegjël që nuk i lejuan të pinin ujë. Ajo pa dhe u bë dëshmitare se si djemtë e saj, Muhamedi dhe Auni ranë dëshmorë në Qerbela. Ajo qe dëshmitare se si i vranë vëllanë, Abasin (Paqja qoftë mbi të!). Ajo pa me sytë e saj se si i vranë nipërit e saj, Ali Akberin, Kasemin etj. Ajo pa me sytë e saj se si të gjithë mbështetësit dhe shokët e Imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) po vriteshin një e nga një dhe nga dhimbja e madhe, thirri: “A ka njeri që ta mbështesë familjen e Resulit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!)?! A ka njeri që ta dëgjojë zërin tonë?” Kur gratë e tjera e dëgjuan zërin e saj, të gjitha nisën të qanin me zë të lartë. Imam Hysejni (Paqja qoftë mbi të!) qe dëshmori i fundit pas djalit të tij të vogël gjashtë muajsh, i cili u godit me shigjetë në grykë dhe Imam Hysejni gjakun e tij e mori në dorë dhe dorën e drejtoi drejt qellit e tha: “Meqenëse Zoti e sheh të gjithë atë çka më ka ngjarë, për mua është e lehtë!”. Kështu, u fut në çadër dhe u përshëndet me motrën dhe djalin e tij Imam Sexhadin (Paqja qoftë mbi ta!). Kur po dilte e motra Zejnebi, i tha të ngadalësonte dhe iu afrua e i puthi duar e këmbë. Kjo ishte dhe ndarja e saj me vëllanë, imamin e saj. Ajo pa se si e vranë vëllanë e saj të dashur, se si ia ndanë kokën nga trupi. Të gjitha këto vuajtje dhe skena i kaloi kjo zonjë e nderuar. Ajo qëndoi pranë trupit të vëllait të saj dhe duart i vendosi poshtë trupit të tij të copëtuar e tha: “O Allah! Këto kurbane të pakta dhe të vrarë në rrugën Tënde pranoji nga ne, Familja e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!).”
Kjo pra ishte Zejnebi, mbesa e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!), e bija e Aliut dhe e Fatimes, motra e Hasanit dhe e Hysejnit. Kjo zonjë e rrallë, kur u pyet nga Ibn Zijadi se si e pa punën e Zotit me vëllanë e familjen e saj, ajo u përgjigj: “Nuk kam parë gjë tjetër nga Zoti, përveçse mirësi dhe bukuri! Këto qenë një grup që Zoti ua kish caktuar martirizimin dhe fluturuan drejt përjetësisë, ku janë të qetë. Zoti, në Ditën e Kiametit, do gjykojë midis jush. Ty, o Ibn Zijad, do të të kërkojë gjakun e tyre. Në atë ditë do të shikosh me kë do të jetë fitorja.”
Kjo pra është Zejnebi, shembull për t’u marrë nga të gjithë. Kësaj i thonë të durosh e të jesh i kënaqur me caktimin e Allahut. Nëse hazreti Zejnebi (Paqja qoftë mbi të!), nuk do kishte bërë durim, nuk do të mbetej gjurmë e Islamit. Fjalimet e saj dhe qëndresa e saj, bëri që Jezidi, kalifi i asokohe dhe shokët e tij të turpëroheshin dhe fytyrat e vërteta të tyre të dilnin sheshit. Sot, edhe pse kanë kaluar 14 shekuj nga ngjarja e Qerbelasë, mbijetesa e Islamit i detyrohet guximit dhe këmbënguljes së Zejnebit (Paqja qoftë mbi të!).
“Qerbelaja do mbetej në Qerbela nëse nuk do ishte Zejnebi…”
Përfundimi: “Durimi dhe qëndresa e Zejnebit është durim i bukur, për shkak se largpamësia e saj është e tillë. Të mësosh një largpamësi të tillë, nëpërmjet Zejnebit, mund të jetë çelësi i zgjidhjes së shumë problemeve, si individuale apo sociale. Një durim i tillë nuk mund të arrihet kurrë, nëse nuk mendojmë mirë se nga kemi ardhur, pse kemi ardhur dhe ku do shkojmë. Në të vërtetë, përcaktimi i qëllimit të çon të njohësh Zotin. Në këtë mënyrë, bëhet shkak të njohësh sa më mirë Madhështinë e Tij. Sa më shumë ta njohim Madhështinë e Zotit, aq më pak futemi në gjynahe. Por, ajo çfarë është më e rëndësishme, është që pas njohjes, të vihen në zbatim ato çfarë Krijuesi urdhëron. Kështu, do të arrish të besosh. Besimi të bën ty që të zgjedhësh rrugën dhe largpamësinë e drejtë. Kjo largpamësi në vullnetin dhe sjelljen tënde do të lërë ndikimin dhe gjurmën e saj dhe rezultati do të jetë durimi.
O Allah! Na ndihmo ne të gjithëve që të mund të arrijmë largpamësinë e bukur dhe të jemi të kënaqur me kënaqësinë Tënde!
Punoi Rajmonda FEZA